
Një anëtar i Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Durrësit ka fituar një tender me vlerë 181 mijë euro për rrjetin e kanalizimeve në 3 lagje të qytetit ku ai është votuar.
Munir Konesha është zgjedhur anëtar në Këshill në zgjedhjet e fundit lokale.
Ky këshill përzgjedh problematikat e banorëve të qytetit, duke adresuar edhe investimet.

Një problematikë e mbartur është edhe rrjeti i ujësjellësve, ku në 3 lagje nuk ka ujë mjaftueshëm. Më pas hyri në lojë Ujësjellësi i Durrësit, i cili tashmë është sh.a, i cili tenderoi disa muaj më parë rikonstruksionin e rrjetit në lagjen e Skraparlinjve, Arapaj dhe te Plepat. Fondi ishte 181 mijë euro, teksa fitues ka dalë një kompani që zotërohej nga anëtar i Këshillit, Munir Konesha.
Ky i fundit ka dashur të “humbë gjurmët” dhe të mos dalë pronar, pasi ai ia ka dhuruar aksionet e firmës “2AF ALBANIA GROUP” një familjare.
Por, gjurma e tij tel te kompania mbështetëse e fituesit, e cila është “ALB-KON”, ku vetë Munir Konesha ka 50 % të aksioneve dhe 50 % të tjera i ka vëllai i tij. Pra, nga njëra anë ai mbulon gjurmët dhe nga ana tjetër i zbulon!

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Ujësjellësi i Durrësit ka shpalur ditët e fundit fituesin e një tenderi.
Fitues ka dalë kompania “2AF ALBANIA GROUP”, me adresë në fshatin Vajkal në Bulqizë.
Kjo firmë ka bërë kontratë me një subjekt mbështetës, ku rezulton se është kompania “ALB-KON”. Objekti i kontratës është “rikonstruksion i rrjetit të ujësjellësit në zonën Kodër Arapaj, në zonën Plepa dhe Zonën Skraparlinjve, Durrës”, me një afat të kryerjes së punimeve që është vetëm 2 muaj.
Tenderi duket komplet elektoral, pasi fituesi është shpallur në 13 shkurt, kontrata lidhet për disa ditë dhe punimet përfundojnë para zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit 2025.
Firma fituese “2AF ALBANIA GROUP” ofroi 18.1 milionë lekë, ose e konvertuar në euro mni 181 mijë euro.

Në dokumentet që hulumtoi VoxNews, Ujësjellësi shkruan se “është e njohur problematika e garantimit të sasisë së ujit që të mbulojë zonat e banuara nga ana sasiore ashtu de nga ana cilësore.
Sipas saj, janë të pakta zonat që e kanë zgjidhur këtë problematikë për furnizimin me ujë të pijshëm.
“Kjo situatë vjen jo për shkak të mungesës së ujit në burimet tona natyrore, por si pasojë e disa faktorëve nga ë të rëndësishmit janë amortizimi i rrjeteve ekzistues, rritja e nevojës për ujë pas viteve ’90 dhe keqmenaxhimi i rrjeteve të furnizimit nga institucionet që i kanë administruar” thuhet në dokumente.

Por, kush do t’i bëjë këto punë? VoxNews hulumtoi dokumentet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku rezulton se aktualisht pronare me 100 % të aksioneve të firmës “2AF ALBANIA GROUP” është znj. Xhuljeta Konesha.
Më parë, firma ka pasur si aksioner në mazhorancë z. Munir Konesha.

Zgjedhjet e fundit vendore u bënë në verën e vitit 2023, ku z. Munir Konesha u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit.
Në muajin nëntor të vitit 2023, ai i dhuron aksionet të aferes Xhuljeta Konesha.
Duke qenë se është brenda familjes, ai s’ka paguar asnjë penalizim apo gjobë, teksa ka menduar që tashmë “ka larë duart” nga kompania me letra dhe tashmë mund të lobojë për të fituar edhe para publike.
Pra, duke shfrytëzuar Këshillin ai do të mund të identifikonte dhe lobonte që të bënte punët publike në qytet, dhe kështu ka ndodhur.

Pra, nga njëra anë Munir Konesha ka arritur që të fshehë gjurmët dhe nga ana tjetër ka nxjerrë vetë sytë! Në dokumentet e tenderit shkruhet se subjekti mbështetës i këtyre punëve është firma “ALB-KON”.
VoxNews shfletoi Qendrën Kombëtare të Biznesit ku rezulton se z. Munir Konesha del me 50 % të aksioneve./Marrë nga Voxnews








