
Pas më shumë se dy orësh tubim para Kryeministrisë, protestuesit nisën një marshim masiv me flamuj kuqezi në rrugët e Tiranës, duke vijuar aksionin e tyre kundër qeverisë.
Ndërsa pjesa më e madhe e pjesëmarrësve iu bashkua marshimit, një grup protestuesish vendosi të qëndrojë para godinës së Kryeministrisë. Ata deklaruan se nuk do të largohen nga sheshi dhe do të vijojnë qëndrimin 24 orë në shenjë proteste, derisa, sipas tyre, të largohet qeveria dhe kryeministri Edi Rama.
Marshimi përshkoi disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, ndërsa turma e protestuesve u ndal edhe para Parlamentit të Shqipërisë. Aty u dëgjuan thirrje të shumta kundër mazhorancës dhe institucioneve shtetërore.
“Parlamenti i krimit” dhe “Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve” ishin disa nga sloganet e artikuluara nga protestuesit gjatë ndalesës para Kuvendit.

