
21-vjeçari që ka arrestuar për plagosjen e të miturit në picerinë “Fantazia” në zonën e Ali Demit ka dhënë dëshminë para hetuesve. Ai ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur aksidentalisht.
“Arma u shkrep aksidentalisht. Nuk e kisha për qëllim ta plagosja”, është shprehur i riu para grupit hetimor.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së dielës, ku 15-vjeçari i cili punonte si kamerier në picerinë në fjalë mbeti i plagosur me armë zjarri atipike. Sipas dëshmisë së Nezirit, ai ndodhej në një tavolinë së bashku me të miturin kur arma, të cilën kishte me vete, është shkrepur pa dashje.
Ndërkohë, 15-vjeçari ka deklaruar për policinë se nuk e kujton saktësisht se si ka ndodhur ngjarja, për shkak të gjendjes së tij të rënduar në momentin e incidentit.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa është shpallur në kërkim administratori i picerisë, për të cilin dyshohet se ka pasur dijeni apo rol në ngjarje ndërsa janë arrestuar 3 punonjësit e picerisë për moskallëzim krimi.
Tre punonjësit e picerisë janë nën akuzë, pasi akuzohen se kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes duke fshirë gjurmët dhe provat, si dhe kanë shmangur njoftimin e menjëhershëm të Policisë. Sipas burimeve, Policia është njoftuar vetëm pasi 15-vjeçari është dërguar në spital, ndërsa efektivët kanë konstatuar se vendi i ngjarjes te piceri “Fantazia” ishte pastruar dhe pamjet e kamerave të sigurisë ishin fshirë. Versus.al







