Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për aferën “Partizani” ku është marrë i pandehur së bashku me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi.
Mes akuzave drejtuar kreut të SPAK dhe gjyqtares Irena Gjoka, Berisha foli edhe për rastin e ndodhur të shtunën, kur u arrestua avokati Ulian Barjami me arsyetimin se kishte kërcënuar prokurorin, Gjergj Cekën gjatë seancës së masave të sigurisë për 14 të arrestuarit në Elbasan më 13 tetor.
Sipas Berishës, arrestimi i avokatit ka qenë totalisht e jashtëligjshme duke e cilësuar si diçka që nuk e kishte dëgjuar as në kohë diktature. Berisha tha se ky arrestim shkakton terror tek avokatët e tjerë, ndërsa akuzoi prokurorin Gjergj Ceka si “anëtar të bandës” së kreut të policisë së shtetit, Ilir Proda.
“E morët vesh çfarë ndodhi pardje. Që nga koha e diktaturës, unë nuk kam dëgjuar as në diktaturë, por mund të ketë ndodhur, se atëherë ndodhte çdo gjë, atëherë nuk kishte avokatë, por në kohën kur ka pasur avokatë, avoketërit armiq konsideroheshin, pak kishte.
Arrestojnë avokatin në Elbasan. Pse? Sepse guxoi ti thotë prokurorit, unë do të të bëj padi penale. Çfarë fyerje dhe çfarë kërcënimi është ky? Kur një njeri në sallën e gjyqit që mbronte një klient, i thotë prokurorit po shpif dhe ky bandit me Prodën që është anëtar i bandës dhe të tjerë, thërret avokatin dhe e arreston të nesërmen. Tani më thuaj pak mua, të arrestosh avokatin në këtë mënyrë, ky është një terror mbi 10-tëra e qindra avoketër që të mbyllin gojën në sallën e gjyqit. Çfarë drejtësie është kjo?
Kur dëgjova fillimisht të them të vërtetën, mendova se mos avokati ka humbur nervat dhe ka agresuar prokurorin dhe thashë kjo është e papranueshme. Por kur pashë me regjistrime se çfarë ka ndodhur, ky është turpi, kjo vetëm drejtësi nuk është. Nuk ndodh kund. Këta që përpiqen të shndërrojnë krimet e tyre të shëmtuara në mburojë për drejtësinë, këta janë dy herë kriminelë. Këta që përpiqen të përdorin mantelin e gjykatësit apo prokurorit për të mbrojtur apo fshehur krimet e tyre, këta janë dy herë kriminel”- deklaroi Berisha.
Sot ka nisur edhe bojkoti i njoftuar nga Dhoma e Avokatisë për arrestimin e Barjamit i cili u shpreh gjatë seancës se do të merrej personalisht me prokurorin dhe oficerët e policisë gjyqësore të përfshirë në operacionin e 13 tetorit në Elbasan. Versus.al







