AKTUALITET /

Arrestimi i ‘Bolit të Kokainës’ në Brazil, Ervin Mata monitorohej prej 2 vitesh! Lidhje të forta me kartelet

Shkruar nga Versus
Arrestimi i ‘Bolit të Kokainës’ në Brazil, Ervin Mata
Ervin Mata

Në media është publikuar foto e Ervin Matës, personit të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK i cili u arrestua së fundmi në Brazil. Detajet bëjnë me dije se Mata i cili njihet me nofkën ‘Boli i Kokainës’ ishte nën monitorim prej 2 vitesh në vendet e Amerikës Latine ku lëvizte për aktivitetin e tij kriminal.

Në momentin e arrestimit, Mata mbante një pasaportë bullgare false, e cila kishte skaduar në vitin 2024. Po ashtu, iu gjet edhe një kartë identiteti bullgare, e vlefshme deri në vitin 2029, gjithashtu e falsifikuar. Ndërkohë, ai posedonte edhe një kartë identiteti të Paraguajit, ku si vendlindje figuronte Mbretëria e Bashkuar. Ky dokument dyshohet se përdorej kryesisht për lëvizjet e tij në disa shtete të Amerikës Latine. Mata është arrestuar me disa persona të tjerë.

Mata dyshohet se kishte krijuar bazë lëvizjeje mes Paraguajit dhe Brazilit, ndërsa shoqërohej me persona nga grupe kriminale paraguajane. Sipas provave të siguruara nga zbardhja e përgjimeve në Sky Ecc, 39-vjeçari akuzohet se ka koordinuar aktivitetin e një grupi kriminal të përfshirë në trafikimin e qindra kilogramëve kokainë, me shtrirje veprimtarie në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe Europë.

Në 2023-in, ai u shpall në kërkim nga SPAK si pjesë e grupit kriminal prej 11 personash mes të cilëve edhe djali i Erzen Breçanit, ish-funksionarit të lartë të policisë. Mata është i njohur gjithashtu ëpr lidhjen e tij të mëparshme me këngëtaren Elvana Gjata, si dhe konfliktet me biznesmenin e zhdukur, Ervis Martinaj. Versus.al

Tags:

ervin mata

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për tre nga të arrestuarit në kuadër të megaoperacionit të SPAK për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.

Në seancën për vlerësimin e masave të sigurisë, gjykata vendosi të mbajë në burg Orest Sotën, Orgest Birçajn dhe Dritan Agën. Ndërkohë, për Gëzim Islamin u vendos lirimi për arsye shëndetësore kundrejt një garancie pasurore prej 100 mijë eurosh.

Katër të arrestuarit dolën para Gjykatës së Posaçme këtë të shtunë, ndërsa seanca nisi në orën 09:00. Procesi u ndërpre për rreth dy orë pas kërkesës së avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore të dosjes.

Pas rifillimit të gjykimit, trupa gjykuese shqyrtoi kërkesat e palëve dhe vendosi masat e sigurisë për secilin prej të dyshuarve.

Në sallëne gjyqit ishin të pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani, prokurorja Elida Kaçkini dhe gjyqtarja Flojera Davidhi.

Megaoperacioni i SPAK ka në fokus goditjen e grupeve të përfshira në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe skemat e dyshuara të pastrimit të parave përmes investimeve në sektorin e ndërtimit. Hetimet për këtë çështje vijojnë.Versus.al