
Gjykata e Gjirokastrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Ermal Kokon, pronarin e pishinës “GLOW”, ku pak ditë më parë humbi jetën 15-vjeçari Arbër Peçi.
Koko ishte arrestuar me urdhër të Prokurorisë në kuadër të hetimeve për ngjarjen tragjike, ndërsa ndaj tij është ngritur akuza për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.
Gjatë seancës gjyqësore, prokuroria paraqiti provat dhe argumentet e mbledhura deri në këtë fazë të hetimit, duke kërkuar vlerësimin e rolit dhe përgjegjësive të administratorit të pishinës në lidhje me ngjarjen.
Nga ana tjetër, mbrojtja kërkoi një masë më të lehtë sigurie, duke argumentuar se i hetuari nuk paraqet rrezik për procesin hetimor.
Pas shqyrtimit të kërkesave të palëve, gjykata vendosi ta lërë Ermal Kokon në arrest shtëpie deri në vijim të procedurave hetimore.
Ngjarja e rëndë ndodhi katër ditë më parë, kur 15-vjeçari Arbër Peçi humbi jetën pak minuta pasi kishte hyrë në pishinë. Deri më tani dyshohet se shkak mund të ketë qenë një arrest kardiak, por shkaku përfundimtar i vdekjes do të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore./Versus.al

