
Moisi Habilaj, i konsideruar nga autoritetet si një nga figurat kryesore të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, është arrestuar në Borsh pas një operacioni të Policisë së Shtetit.
48-vjeçari, i cili ishte në kërkim prej vitesh, u lokalizua në ambientet e një lokali në zonën bregdetare dhe u vu në pranga me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Sipas Policisë, operacioni i koduar “Metodat” u zhvillua pas një pune intensive hetimore dhe përdorimit të metodave speciale për lokalizimin e tij. Habilaj ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, të cilat e kanë dënuar me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Ndaj tij u ekzekutua gjithashtu edhe masa e sigurisë “Arrest në burg” e caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri për akuzat e trafikut të narkotikëve, prodhimit dhe shitjes së tyre, si dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.
Emri i Moisi Habilajt u bë i njohur pas operacionit “Rosa dei Venti” të autoriteteve italiane në vitin 2017, ku u zbulua një rrjet i gjerë trafiku droge që vepronte mes Shqipërisë dhe Italisë. Hetimet italiane e identifikuan atë si drejtues të grupit që trafikonte sasi të mëdha kanabisi drejt Siçilisë.
Njoftimi i Policisë
“Kapet dhe arrestohet provizorisht, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar nga autoritetet italiane me mbi 12 vjet burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe në përdorimin e metodave speciale të hetimit për zbulimin dhe lokalizimin e një personi shumë të kërkuar nga autoritetet italiane, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metodat”, u bë i mundur lokalizimi në një lokal në Borsh, kapja dhe arrestimi provizor i shtetasit Moisi Habilaj, 48 vjeç, banues në Babicë e Vogël, Vlorë.
Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Katanias, Itali, me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Po ashtu, ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar me vendimin nr. 192, datë 26.12.2018, të Gjykatës së Krimeve të Rënda, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi italian S.F., 70 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”/Versus.al

