Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga momenti i arrestimit të Moisi Habilajt, i cili u vu në pranga në kuadër të operacionit të koduar “Metodat”, të zhvilluar në Borsh.
Operacioni u finalizua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, pas një pune intensive hetimore për lokalizimin e një personi të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
Sipas burimeve policore, Habilaj u lokalizua në një beach bar në Borsh, në pronësi të familjarëve të tij. Në momentin e arrestimit, ai mbante kapele dhe kishte lënë mjekër, në një përpjekje për të shmangur identifikimin.
Gjatë të njëjtit operacion u arrestua në flagrancë edhe Eduard Ahmeti, 46 vjeç, banues në Sarandë. Ndërkohë, shtetasi italian me inicialet S.F., 70 vjeç, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Moisi Habilaj ishte prej vitesh në kërkim dhe u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku është dënuar për përfshirje në organizatë kriminale dhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.


