
Autoritetet braziliane kanë arrestuar biznesmenin shqiptar Ervin Mata, i cili kërkohej nga drejtësia shqiptare për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.
39 vjeçari është arrestuar të shtunën në mbrëmje (25 prill), sipas mediave braziliane, në Ilhabela, në bregdetin verior të São Paulo-s ndërsa fshihej në Brazil duke përdorur dokumente identifikimi angleze.
Më herët, Gjykata e Lartë Federale në Brazil kishte lëshuar një urdhër-arresti ndaj tij, pas kërkesës së bërë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në Shqipëri, e cila kishte nisur edhe procedurat për ekstradimin e tij drejt vendit tonë.
Sipas hetimeve të SPAK, Ervin Mata dhe grupi i tij dyshohet se janë të përfshirë në trafikimin e sasive të konsiderueshme të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Autoritetet shqiptare pretendojnë se gjatë një periudhe rreth dyvjeçare janë sekuestruar rreth 931 kilogramë lëndë narkotike të lidhura me këtë rrjet.
Hetimet tregojnë gjithashtu se fitimet e përfituara nga aktiviteti kriminal dyshohet se janë investuar në sektorin e ndërtimit në Shqipëri.
Për të shmangur gjurmimin e parave, grupi dyshohet se ka përdorur edhe sistemin informal të transfertave “Hawala”.
Ndërkohë, pritet që autoritetet braziliane të vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me akuzat e ngritura nga SPAK.
Pamje nga momenti i arrestimit:
View this post on Instagram
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Si rezultat i partneritetit të ngushtë me homologët dhe me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, finalizohet një tjetër fazë e operacionit “The Wanted”.
Akuzohet se koordinoi pjesëtarët e grupit kriminal ku bënte pjesë, për trafikimin e 240 kilogramëve Kokainë, arrestohet në Brazil, 39-vjeçari.
39-vjeçari fshihej në Brazil, duke përdorur dokumente identifikimi angleze, të falsifikuara.
Grupi kriminal, me veprimtari në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe Europë, u hetua në kuadër të një procedimi penal të SPAK, në vitin 2023, në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe agjencitë ligjzbatuese të 6 shteteve.
Si rezultat i shkëmbimit dhe koordinimit të informacioneve, në kohë reale, ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Brasilias, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u kap në Brazil, shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. M., 39 vjeç.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në vitin 2023, gjatë një procedimi të regjistruar nga SPAK, janë kryer hetime, në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe me agjencitë ligjzbatuese belge, franceze, holandeze, gjermane, braziliane dhe kolumbiane, lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në veprimtari kriminale në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe në disa shtete europiane.
Gjithashtu hetime janë kryer dhe në lidhje me disa ngjarje kriminale të mëparshme, të ndodhura në Shqipëri.
Në kuadër të këtij procedimi, shtetasi E. M. dyshohet se ka koordinuar bashkëpunëtoret e tij, për trafikimin e 240 kg lëndë narkotike Kokainë, më datë 29.09.2020.
39-vjeçari u kap në qytetin e Ilha Bela, dhe kishte në përdorim dokumente identifikimi angleze, të falsifikuara.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Brasilia, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit E. M., në Shqipëri.
/Versus.al

