AKTUALITET /

Arsenal armësh në banesën e familjes në Maminas: Arrestohet 30-vjeçari, babai në kërkim

Policia bën të ditur se të dy personat nuk kishin leje për armët e gjetura, dhe se posedimi i tyre përbën rrezik potencial për sigurinë publike, sidomos në një zonë të banuar si Maminasi.

Shkruar nga Versus

Arsenal armësh në banesën e familjes në Maminas: Arrestohet

Policia e Shijakut ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Double”, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale të mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit, duke çuar në arrestimin e një 30-vjeçari dhe shpalljen në kërkim të babait të tij.

Në bazë të të dhënave të siguruara nga inteligjenca policore dhe kontrolleve të ushtruara në një banesë në Maminas, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak kanë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri (një kallashnikov dhe një pistoletë), katër karikatorë dhe 157 fishekë luftarakë.

Si rezultat i operacionit:
U arrestua në flagrancë shtetasi S. S., 30 vjeç.

U shpall në kërkim babai i tij, shtetasi Sh. S., 54 vjeç, i cili dyshohet të jetë bashkëpërgjegjës për mbajtjen e arsenalit në banesë.

Policia bën të ditur se të dy personat nuk kishin leje për armët e gjetura, dhe se posedimi i tyre përbën rrezik potencial për sigurinë publike, sidomos në një zonë të banuar si Maminasi. Operacioni “Double” vjen si pjesë e një plani më të gjerë për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe uljen e posedimit të armëve të zjarrit nga persona që përbëjnë kërcënim për komunitetin.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila do të ndjekë më tej hetimet për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Policia po vijon punën për kapjen e 54-vjeçarit në kërkim. /Versus.al/

Tags:

shijak

Poll