Gazetari Artan Hoxha ka analizuar dinamikën e atentatit ndaj bashkëshortëve Kreshnik Mujeci dhe Gentjana Mujeci, të ndodhur dy ditë më parë në Balldren të Lezhës.
Sipas tij, autorët kanë përdorur armë automatike kallashnikov, duke qëlluar me breshëri, çka e ka bërë të pashmangshme vrasjen e gruas, edhe pse ajo nuk ishte objektivi kryesor.
Hoxha theksoi se autorët kishin studiuar lëvizjet e viktimës për ta goditur të vetëm, por ai nuk lëvizte kurrë pa bashkëshorten, duke e bërë të vështirë realizimin e atentatit pa praninë e saj.
Ai shtoi se sulmi është kryer pranë banesës së çiftit, në një rrugë të ngushtë që kufizon manovrimin e mjeteve, ndërsa janë përdorur të paktën dy automjete, me një të tretë që dyshohet se ka koordinuar lëvizjet.
“Autori është rritur që i vogël me urrejtjen për vrasjen e të atit. Kanë ndjekur lëvizjet, e kanë gjetur në momentin kur ishte afër banesës; ajo rrugë duket si tunel dhe është e vështirë që makina të manovrojë. Ata e kanë gjetur në një moment kur ka qenë i relaksuar dhe po shkonte në banesë.
Janë përdorur dy makina dhe një tjetër që mund të ketë koordinuar lëvizjet, e cila po shihet nga kamerat e sigurisë. Njëra nga makinat i ka prerë rrugën; në momentin që i është prerë rruga, është hapur zjarr. Përqendrimi ka qenë në krahun e shoferit, por kallashnikovi është armë shumë e fuqishme dhe ata që e përdorin duhet të jenë qitës shumë të sprovuar për ta mbajtur. Qitësit kanë qenë të rinj dhe të pakujdesshëm; më shumë kanë dashur të nxjerrin dufin. Numri i madh i të shtënave është tipik i ngjarjeve për gjakmarrje”, tha Hoxha në emisionin “Now”.

