
Gjykata e Posaçme, nëpërmjet ministrisë së Drejtësisë ka dorëzuar në Emiratet e Bashkuara dokumentacionin e veprave penale për të cilat akuzohet Durim Bami, i cili prej ditësh mbahet i arrestuar në Dubai.
Pritet që Emiratet e Bashkuara të kthejnë një përgjigjie me rastin edhe pse deri më tani, as shtete më të fuqishme nuk kanë mundur të kryejnë ekstradimin nga Dubai të personave të shpallur në kërkim.
Durim Bami është në akuzë në dosjen “Revanshi” për 4 vepra penale, nga sigurimi i kushteve për vrasje deri tek grup i strukturuar kriminal, kultivim droge dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal.
Në dosjen e publikuar javë më parë nga SPAK ku ishin zbardhur përgjimet e disa prej krerëve të grupeve krimnale në Shqipëri, provohej se një grup i madh personash ishin investuar dhe angazhuar prej kohësh për ekzekutimin e Durim Bamit. Për vrasjen e këtij të fundit, ishin ofruar edhe shuma deri në 1 milionë euro.
Sipas dosjes së SPAK, Durim Bami, bashkë me Endrit Doklen, Marklen Hakën dhe Xhelal Rrajën, do vrisnin Arben Ndokën. Detyra e tij do të ishte sigurimi i informacioneve për lokalizimin e ish-deputetit dhe të njoftonte të tjerët. Ndërkohë, për vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit (krahut të djathtë të Ervis Martinajt), 45-vjeçari ka pasur rol kryesor të organizatorit. Gjithashtu ai akuzohet edhe për kultivim droge në zonën e Krujës duke bashkëpunuar me ish-policin Altin Morina. Versus.al







