Ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia është paraqitur mëngjesin e sotëm në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Pasi doli nga SPAK, Spahia foli para gazetarëve duke u shprehur se çështja për të cilën ka qenë i pranishëm në Prokurorinë e Posaçme nuk ka asnjë interes publik dhe se nuk lidhet me shkelje të pretenduara se janë kryer prej tij.
“Nuk ka lidhje fare as me korrupsion as me çështje për lidhje me krimin e organizuar. Kështu që rrini të qetë, nuk ka asnjë interes për interesin publik”- deklaroi ish-kryetari i bashkisë së Shkodrës.
Kjo është hera e dytë që ai shkon në SPAK pasi në tetor qëndroi për 30 minuta në organin e akuzës dhe nuk pranoi të jepte shpjegime para mediave.
Më 26 Mars të këtij viti Bardh Spahia u kallëzua në SPAK nga Qëndresa Qytetare bashkë me 21 kryebashkiakë të tjerë, për "shpërdorim detyre" në fushatën elektorale të 14 Majit duke përdorur asetet publike. Por ende nuk dihet nëse është thirrur dy herë për këtë arsye. Versus.al








