Ambasadat e huaja në vend kanë uruar Shqipërinë për festën e pavarësisë që shënon 112 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar.
Silvio Gonzato, ambasadori i BE në Shqipëri ka uruar në rrjetet sociale duke kujtuar edhe hapjen e grupkapitullit të parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke theksuar se ky është një hap i rëndësishëm.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipëri! Hapja e negociatave të anëtarësimit për Grupkapitullin e parë mbi themelorët këtë vit është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në familjen e Bashkimit Evropian. Shumë sfida janë përpara, por BE-ja është e përkushtuar të qëndrojë në krah të Shqipërisë në çdo hap”- thuhet në reagimin e BE.
Ndërkohë, ambasada amerikane ka zgjedhur një tjetër mënyrë për të uruar Shqipërinë për festën e pavarësisë duke publikuar interpretimin e himnit tonë kombëtar nga një prej anëtarëve të stafit të huaj që shërben në Shqipëri.
“Urime Shqipërisë në 112-Vjetorin e Pavarësisë! Ambasada e ShBA feston me krenari bashkë me ju. Për të shënuar këtë ditë, Jakob Curatola-Ëozniak, i cili po mëson shqip teksa shërben në Shqipëri me bashkëshorten e tij, interpretoi himnin kombëtar. Si ju duket?”- thuhet në urimin e bërë nga Ambasada e SHBA në vend. Versus.al







