Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me 2 vite burg për ish-kryeprokurorin e përgjithshëm Adriatik Llalla i cili është dënuar nga GJKKO me 2 vite burg.
Nga Italia ku ka përfituar azil politik, Llalla dorëzoi rekurs kundër vendimit dhe më pas u tërhoq. Gjithesi për të përmbushur detyrën e saj gjykata e Lartë e ka çuar deri në fund vendimmarrjen. Më 1 prill, nuk u pranua kërkesa e Llallës për t'u tërhequr nga rekursi, ndërsa sot iu rrëzua edhe kërkesa për shfuqizimin e Apelit të GJKKO.
Më 21 shtator të vitit 2021 gjykata e Apelit të Posaçëm dënoi me vendim të formës së prerë Llallën me 2 vite burg pasi u shpall fajtor për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë.
Gjykata vendosi dhe konfiskimin e disa pronave të tij, të vëna paraprakisht nën sekuestro, konkretisht: 4 sipërfaqe toke, në 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.
Ndërkohë, pavarësisht se në kërkim ndërkombëtar, Llalla është shfaqur në disa takime të kreut të PD, Sali Berisha me emigrantët shqiptarë në Romë gjatë muajit shkurt të këtij viti. Teksa në Itali ka fituar azilin politik, ish-kryeprokurori ishte i pranishëm mes mbështetësve të PD-së gjatë fjalimit të Berishës. Versus.al








