Një prani e konsiderueshme e agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe prokurorëve të SPAK është regjistruar sot në qytetin e Elbasanit. Burime konfidenciale bëjnë me dije se kjo lëvizje lidhet me monitorimin intensiv të procesit zgjedhor dhe të fushatës elektorale në këtë qark.
Elbasani është konsideruar një nga qarqet më të "blinduar" të vendit për këtë proces zgjedhor, ku strukturat e posaçme kanë ngritur një rrjet të gjerë vëzhgimi në kohë reale. Në krye të grupit të monitorimit ndodhet prokurori Olsi Dado, ndërsa hetuesit janë pajisur me teknologji të avancuar për të dokumentuar çdo shkelje të mundshme.
Të gjitha lëvizjet e kandidatëve dhe mbështetësve të tyre janë nën kontroll të vazhdueshëm. Strukturat e BKH dhe SPAK janë të angazhuara për të garantuar integritetin e zgjedhjeve, duke hetuar përdorimin e burimeve publike, abuzimin me administratën, qarkullimin e parave të pista, ndikimin e krimit të organizuar dhe çdo përpjekje për blerje votash.
Për herë të parë që nga fillimi i fushatës, Elbasani ka njohur një përqendrim kaq të madh të forcave të drejtësisë në terren.








