
Për herë të parë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka dëshmuar në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani, një nga figurat kyçe që pritet të zbardhë veprimtarinë e grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu.
Në dëshminë e tij para togave të zeza, Tafani rrëfeu 17 episode kriminale dhe një jetë të shënuar nga droga, dhuna, burgjet dhe varfëria. "Kam qenë emigrant në Greqi që 15 vjeç, nga fundi i viteve '90. Në 1997 më vranë babain në fshatin Karbunarë të Lushnjës. U largova me nënën dhe motrën për të mbijetuar. Atje punova në ndërtim, me bojëra, u përpoqa të mbaja veten. Më pas, rashë në përdorim droge. U martova, pata një fëmijë, por gjithçka mori tatëpjetën."
Pas kthimit në Shqipëri në 2006, Tafani tha se tentoi të rindërtonte jetën me punë të ndershme dhe tregti me xhaxhain, por pas disa vitesh u rikthye në drogë dhe u përfshi në një vjedhje në një pikë ‘Western Union’-i – vendin nga merrte ndihmat që i dërgonte e ëma nga jashtë. “E vodha i vetëm, paratë i shpenzova. Më pas më arrestuan dhe në 2015 u dënova me 6 vite burg.”

Ishte pikërisht gjatë qëndrimit në burgun e Lushnjës ku Tafani nisi lidhjet me botën e krimit. Ai përmendi njohjet me emra të njohur të botës së nëndheshme: Lulzim Arapin (i njohur ndryshe si Lulzim Spahija), Laert Haxhiun, dhe të tjerë.
"Kam qenë në paraburgim me Dorian Shurdhin dhe Anterio Kaloshin. Pas një plagosjeje ku u përfshi nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, u përfol se arma u gjet te stani i babait të Laert Haxhiut, Qamil Haxhiut."
Pas daljes me leje nga burgu, Tafani thotë se Lulzim Spahija i çoi fjalë për ta takuar. Kishte nevojë për punë – ishte baba i tre fëmijëve dhe në krizë ekonomike. Pranoi ofertën dhe u takua për herë të parë me Laert Haxhiun te “Palma Nova”.
“S’e dija me kë do takohem. Më thanë për ‘mall’, pranova. Pastaj filloi gjithçka. Ata çunat më kishin folur për mua. Kam përdorur emrin Marius, ndërsa emrin Artan e mora pas 2006, kur më duhej për të hyrë sërish në Greqi, sepse më kishin bërë apelias.”
Në total, SPAK ka marrë të pandehur tetë persona për këtë dosje, ndërsa dëshmia e Tafanit pritet të jetë boshti që do çmontojë grupin e organizuar me shtrirje në disa qytete të vendit. Versus.al







