Detaje të reja kanë dalë nga operacioni i zhvilluar në Tiranë, ku u godit një rrjet i organizuar prostitucioni.
Burime bëjnë me dije se grupi kishte bazën e tij në një hotel në qendër të kryeqytetit, pranë zonës së njohur si “Tregu Çam”.
Sipas hetimeve, kreu i grupit në Shqipëri është kolumbiani Lukas Giraldo Bentacur, ndërsa babai i tij, Giraldo Bentacur, drejtonte rrjetin në gjithë Europën.

Ky i fundit konsiderohet një nga figurat më të njohura të krimit në Kolumbi dhe drejtonte disa rrjete prostitucioni në vende të ndryshme të Europës.
Për arrestimin e tij në Kolumbi, në operacion morën pjesë edhe oficerë shqiptarë, të cilët bashkëpunuan ngushtë me policinë kolumbiane.
Në Medellin ndodhen një grup shqiptarësh, përfshirë zv. Drejtorin e Policisë së Tiranës, shefin e sektorit kundër trafiqeve dhe narkotikëve, si dhe prokurorin e çështjes, të cilët morën pjesë në finalizimin e operacionit.
Hetimet tregojnë se grupi në Kolumbi rekrutonte vajza, të cilave u thoshin se do t’i dërgonin në Shqipëri për punësim me paga të larta dhe se vendi ishte një destinacion turistik i bukur.
Sapo vajzat arrinin në vend, grupi i siguronte banesat, por më pas i detyronte të merreshin me prostitucion.
Në rastet kur vajzat nuk dërgonin paratë, grupi nuk nguronte të kërcënonte jetën e tyre, duke shkuar deri në banesat e familjarëve të tyre.







