
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Geraldo Bibën, efektivin e policisë private të ndaluar pas incidentit të ndodhur në Zvërnec më 30 maj.
Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë u zhvillua këtë të hënë dhe u drejtua nga gjyqtari Etien Isak, ndërsa çështja u përfaqësua nga prokurorja Julinda Gjika.
Gjatë seancës, prokuroria paraqiti kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj të ndaluarit. Pas shqyrtimit të rrethanave të çështjes dhe dëgjimit të palëve, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e organit të akuzës.
Për rrjedhojë, ndaj Geraldo Bibës u la në fuqi masa e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa hetimet për ngjarjen e ndodhur në Zvërnec vijojnë. Versus.al

