AKTUALITET /

Ditë e shenjtë! Ndodh për herë të parë: Kryepeshkopi Joan mban meshë në gjuhën shqipe në Kostandinopojë

Shkruar nga Versus

 

Ditë e shenjtë! Ndodh për herë të parë:

Sot në Kostandinopojë, Stamboll, 15 qershor 2025, në të Dielën e të Gjithë Shenjtorëve, Kryepiskopi i Durrësit, Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joani ka mbajtur meshën historike, e gjitha në shqip, përfshirë dhe mesazhin e tij në Kishën e Shën Gjergjit në Patriarkanën Ekumenike të Kostandinopojës.


Më poshtë fjala e plotë.

Tërëshenjtëri shumë i Hyjshëm, Kryepiskop i Kostandinopojës, Romës së Re dhe Patriark Ekumenik, vëlla dhe bashkëmeshtar shumë i dashur dhe i shtrenjtë në Krishtin Perëndi,Zoti Vartholome,

Me mallëngjim tejet të thellë dhe mirënjohje ndaj Zotit të lavdisë, kryem sot bashkërisht Euharistinë Hyjnore, misterin e mistereve, burimin dhe fundin e çdo veprimtarie apostolike. Hiri i Shpirtit të Shenjtë, i cili “u ndan gjithëve si të dojë”, na mblodhi në një vend, që njëzëri të ofrojmë therorinë pa gjak dhe të përtërijmë thirrjen tonë si predikues të Ungjillit në botë.

Urdhri i Zotit të Ngjallur, “shkoni dhe bëni dishepuj të gjithë kombet”, nuk është thjesht një kujtim historik, por një ftesë urdhëruese që i drejtohet çdo brezi, çdo Kishe lokale, çdo besimtari. Dhe fuqia për përmbushjen e këtij misioni buron nga Tryeza e Shenjtë, ku Krishti, “Bariu i mirë”, ushqen grigjën e Tij dhe e bën të aftë të transmetojë gëzimin e shpëtimit.

Pyetja që shtrohet, është: Në ç’botë thirremi të predikojmë sot Ungjillin e përjetshëm? Jetojmë në një epokë ndryshimesh të vrullshme, ku revolucioni teknologjik përmbys përditë të dhënat e komunikimit dhe të bashkëjetesës njerëzore. Epoka dixhitale ka krijuar mënyra të reja lidhjeje mes njerëzve, por në mënyrë paradoksale ka shtuar vetminë dhe tjetërsimin. Të rinjtë tanë, ndonëse janë të lidhur me qindra “miq” në mediat sociale, ndihen thellësisht të vetmuar dhe kërkojnë kuptimin e ekzistencës. Inteligjenca artificiale, që po hyn me vrull në jetën tonë, shtron pyetje thelbësore rreth unikalitetit të personit njerëzor, të krijuar “sipas ikonës dhe ngjashmërisë” së Perëndisë. Njëkohësisht, përjetojmë një krizë shpirtërore të paprecedentë.

Kuptimi i së vërtetës është relativizuar, konsumizmi është shndërruar në një formë të re idhujtarie dhe zbrazëtia ekzistenciale që përjetojnë njerëzit bashkëkohorë i shtyn drejt formave të ndryshme të spiritualiteteve zëvendësuese. Megjithatë, pikërisht kjo krizë mund të bëhet “praeparatio evangelica” (përgatitje për ungjillin), sepse njeriu që ka etje kërkon burimin e ujit të gjallë, ndërsa shoqëritë perëndimore të paanë dhe zhurmshme përbëjnë territorin misionar (terra missionis).Cila është pra përgjigjja e Kishës ndaj sfidave të kohës? Si mund ta transmetojmë mesazhin e përjetshëm të Ungjillit te njerëzit që duken indiferentë apo edhe armiqësorë?

Historia e misionit orthodhoks na mëson se ungjillëzimi nuk është prozelitizëm, por një thirrje për pjesëmarrjen e të gjithëve, pa përjashtim, në lavdinë e Zotit. Nuk imponojmë besimin, por transmetojmë përvojën e takimit me Krishtin e Ngjallur. “Ai që ka shijuar, e di”, thonë Etërit. Dhe ne, duke shijuar ëmbëlsinë e Mbretërisë, thirremi të bëhemi “liturgjisës pas Liturgjisë”, duke vazhduar veprën e dashurisë në jetën e përditshme.
Fuqia e dëshmisë personale mbetet e pazëvendësueshme. Çdo person që jeton në mënyrë autentike Ungjillin bëhet një provë e gjallë e së vërtetës së tij. Dëshmia e heshtur e dashurisë, e sakrificës, e faljes, flet më fort se një mijë fjalë. Martirët dhe dëshmuesit bashkëkohorë, që dhanë jetën e tyre për Krishtin, por edhe besimtarët e thjeshtë që mikpresin të huajin, kujdesen për të sëmurin, falin armikun, janë ungjillëzuesit e vërtetë të epokës sonë.
Dimensioni baritor i ungjillëzimit kërkon ta takojmë njeriun aty ku ndodhet, jo aty ku do të donim të ishte. Sipas modelit të Zotit, që u përul deri në vdekjen në kryq për shpëtimin tonë, edhe ne thirremi në një përulje dashurie. Të bëhemi mjekë shpirtrash dhe jo gjykatës, të kemi durim dhe zemërgjerësi, duke pritur kohën e Perëndisë për çdo shpirt.

Poll