Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka njoftuar se në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier është konstatuar një tentativë për futjen e lëndëve narkotike. Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi Sajmir Perpalaj u kap gjatë kontrollit fizik teksa tentonte t’i sillte një sasi të dyshuar kokaine një të dënuari.
Gjatë verifikimeve trupore në ambientet e kontrollit, autoritetet konstatuan se lënda e dyshuar narkotike ishte fshehur poshtë pjesëve intime.
Nga hetimet paraprake rezultoi se Perpalaj ishte paraqitur për një takim me të dënuarin Aleksandër Mehmetaj.
Në vijim të veprimeve procedurale, policia ndaloi shtetasin Sajmir Perpalaj, ndërsa u njoftua Prokuroria dhe specialisti i SHKBB-së për kryerjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.
Paralelisht, në dhomën ku është i akomoduar i dënuari Mehmetaj u ushtrua një kontroll i plotë për sende të ndaluara, në kuadër të masave të sigurisë dhe garantimit të rendit brenda institucionit./Versus.al

