
Policia e Durrësit dhe Tiranës mësohet se ka ekzekutuar masat e sigurisë të vendosura nga gjykata në lidhje me skandalin e mbetjeve industriale të kompanisë KURUM.
Me kërkesë të Prokurorisë dhe vendim të Gjykatës, janë firmosur gjithsej 33 masa sigurie ndaj personave të dyshuar për përfshirje në këtë çështje.
26 prej tyre janë arrestuar, mes të cilëve 5 doganierë, ndërsa 7 persona janë vendosur në arrest shtëpie.
Ashtu siç Versus.al shkroi dy ditë më parë skandali ka marrë një kthesë alarmante pasi analizat laboratorike të kryera jashtë vendit tregojnë se mostrat e sekuestruara nuk janë thjesht toksike, por potencialisht kancerogjene për shëndetin e njeriut.
Kjo aferë e ndyrë ka shkaktuar tensione të forta institucionale, me përpjekje të vazhdueshme për të hedhur përgjegjësinë te të tjerët një "dosje e nxehtë" që askush nuk donte ta prekte!
Skandali mori përmasa ndërkombëtare kur dy anije të kompanisë Maersk, Campton dhe Candor, u ngarkuan më 4 korrik 2024 në Portin e Durrësit me rreth 100 kontejnerë (816 tonë) pluhur furre elektrike shkrirjeje çeliku, të pasura me kadmium dhe krom kancerogjen.
Autoritetet tajlandeze, në bashkëpunim me Rrjetin e Bazelit dhe organizatën Basel Action Network, i ndaluan anijet në det dhe urdhëruan kthimin e menjëhershëm mbrapsht drejt Evropës.
Sipas raportimeve të dy viteve më parë “Bangkok Post” dhe Bloomberg, Maersk Candor u lokalizua pranë Afrikës së Jugut më 9 gusht, ndërsa Campton po drejtohej drejt Singaporit, por të dyja u bllokuan para destinacionit Laem Chabang në Tajlandë.
Kontejnerët u kthyen në portin e Durrësit në fund të tetorit 2024 dhe, pas rreth dhjetë ditësh qëndrimi në Radë, u zhvendosën në zonën e Porto Romanos./Versus.al

