AKTUALITET /

Rritja e çmimit të barnave, Urdhri i Farmacistëve: Nuk jemi njoftuar, rrezikohet shëndeti i pacientëve

Shkruar nga Versus

Rritja e çmimit të barnave, Urdhri i Farmacistëve: Nuk jemi

Duke nisur nga muaji janar i këtij viti një listë e gjerë barnash kanë pësuar ndëryshime të çmimeve, gjë që ka rritur rrezikun që pacientët të mbeten pa barnat e rimbursueshme për shkak se farmacitë nuk ishin përgatitur për diçka të tillë.

Nëërmjet një reagimi zyrtar Urdhri i Farmacistëve bën me dije se farmacitë po përballen me vështirësi sepse nuk u është dhënë mundësa e pasqyrimit të këtyre çmimeve duke shkaktuar kështu dëm financiar dhe bllokim të punës. Kjo gjë mund të çojë edhe në një rrezik real për shëndetin e pacientëve të cilët i kanë të domosdoshme barnat e caktuara.

Reagimi i plotë:

Sipas informacionit të raportuar pranë Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, farmacitë dhe depot farmaceutike të kontraktuara nga FSDKSH janë përballur me aplikimin e çmimeve të reja në sistem pa asnjë njoftim apo komunikim paraprak zyrtar nga Fondi.

Ky veprim ka pamundësuar njohjen e çmimeve të reja në kohë, marrjen e masave të nevojshme për pasqyrimin e tyre, si dhe reduktimin e stokut ekzistues të barnave të blera me çmime më të larta.

Kjo situatë ka shkaktuar vështirësi serioze në furnizimin e farmacive, pasi barnat të cilave u është ndryshuar çmimi po faturohen me çmimet e mëparshme, duke sjellë dëme financiare të konsiderueshme dhe bllokim të punës së përditshme.

Theksojmë se kjo gjendje po çon drejt bllokimit të zinxhirit të furnizimit me barna dhe po rrezikon drejtpërdrejt aksesin e pacientëve tek barnat e nevojshme, duke përbërë një rrezik real për shëndetin e tyre.

Në këtë kontekst, Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, si institucioni përgjegjës për përfaqësimin e farmacistëve dhe mbrojtjen e interesave të pacientëve, ka kërkuar nga Fondi:

- Informacion zyrtar dhe të detajuar mbi procedurën e ndjekur për ndryshimin dhe aplikimin e çmimeve të reja në sistem.

- Ndërmarrjen e masave urgjente institucionale për zgjidhjen e këtij ngërçi, me qëllim rikthimin e funksionimit normal të shërbimit farmaceutik dhe garantimin e furnizimit të vazhdueshëm me barna për pacientët.

Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë mbetet i gatshëm për bashkëpunim institucional dhe dialog konstruktiv, në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje të menjëhershme dhe të qëndrueshme, në mënyrë që kjo situatë të mos përsëritet në të ardhmen.

Në këtë kuadër, i është kërkuar Fondit të zbatojë detyrimin kontraktual për njoftimin e subjekteve farmaceutike mbi kohën e saktë të hyrjes në fuqi të listës së re të barnave të rimbursueshme, si dhe mbi çdo ndryshim që kjo listë do pësojë. Kjo do të ndihmojë në evitimin e humbjeve nga ndryshimet e stokut dhe do të parandalojë krijimin e mungesave të barnave në treg.

Shëndeti i pacientëve nuk mund të rrezikohet nga mungesa e komunikimit dhe planifikimit. Për këtë arsye, është e domosdoshme të ketë komunikim të qartë, transparencë dhe koordinim të vazhdueshëm mes Fondit dhe subjekteve farmaceutike, në mënyrë që të parandalohen humbjet financiare, si dhe për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm të pacientëve me barnat e nevojshme. Shëndeti i tyre është mbi çdo interes tjetër. Versus.al

Poll