AKTUALITET /

Ditët vendimtare për ish-liderët e UÇK-së, çfarë do të ndodhë në Hagë

Prej 2020-ës ata mbahen në paraburgim nën akuzën për krime lufte.

Shkruar nga Versus
Ditët vendimtare për ish-liderët e UÇK-së,
Ish-liderët e UÇK

Ditët në vazhdim do të jenë vendimtare për ish-liderët e UÇK-së të cilët prej vitesh mbahen të paraburgosur në Hagë nën dyshimet për krime lufte. Nga sot deri në 18 shkurt para Dhomave të Specializuara në Hagë do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe Kadri Veselit.

Gjykata speciale ka njoftuar se seancat janë parashikuar të mbahen nga ora 09:00 deri në 16:30. Gjatë ditës së sotme (9 shkurt) do të paraqitet deklarata përmbyllëse e Prokurorisë, e cila do të vazhdojë edhe më 10 shkurt, së bashku me deklaratën përmbyllëse të Mbrojtjes së Viktimave.

Fillimisht do të ketë radhën Prokuroria, ekipet e mbrojtësve të viktimave, dhe më pas nga 11 shkurti do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse të të pandehurve.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje. Krime këto të cilat pretendohet se janë kryer midis muajit mars 1998 dhe deri në shtator të vitit pasues në disa vende të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë. Versus.al

Poll