
Gjykata e Posaçme ka dënuar me 27 vjet heqje lirie: Ilirian Feçin, Elvis Koçin dhe Agim Gjinin për vjedhje me dhunë e sigurim kushtesh për të kryer vrasje, mes të cilave atë të Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini.
Vendimi u dha nga gjyqtari Ardit Mustafaj, i cili miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
Elvis Koçi u dënua me 7 vite burg për “Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, në periudhën 25-30.07.2020, në qytetin e Elbasanit, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Ilirian Feçi u dënua me 10 vite burg për “Vjedhje me dhunë”, në dëm të shtetasit Skënder Roshi, e kryer në Kavajë në datën 28.04.2011 kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”
Agim Gjinin u dënua me 10 vite burg për “Vjedhje me dhunë” në dëm të shtetasit Astrit Ademi e kryer në datën 31.05.2013 në fshatin Marikaj Bashkia Vorë, në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Treshja u gjykua me procedurë të shkurtuar, dhe do të përfitojë zbritjen me 1/3 e dënimit.
Për pjesën tjetër të grupit, vijon gjykimi i zakonshëm për shkak se akuzohen për vepra më të rënda penele. Pjesë e këtij grupi janë Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Skerdi Tase, Enver Diva Besjan Xhixha etj. Operacioni “Plumbi i Artë” u zhvillua në mars të 2022, ku Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Skerdi Tase dhe së fundmi Erion Alibej fituan statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ku përmes dëshmive të tyre, zbardhën një sërë krimesh të rënda.







