Në komisionin parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën u diskutua lidhur me pengesat që hasen për avancimin në karrierën artistike dhe akademike.
Teksa u fol për kualifikimet, këngëtarja Manjola Nallbani tha se nuk duhet të jetë e detyrueshme që një artist me përvojë të gjatë të privohet nga e drejta e dhënies së mësimit në rast se nuk ka doktoraturën.
“Nuk kishim mundësi të ndiqnim doktoraturat, jo se nuk donim. Ndërkohë kemi vazhduar të bëjmë karrierën tonë që është gjëja më e rëndësishme. Kushdo që do të bëjë doktoraturë, sidomos brezi i ri mund të funksionojë me të tjera rregulla, por jo të jetë kriteri që përcakton nëse ne duhet të japim mësim apo jo në Universitetin e Arteve. Unë personalisht përveç 10 viteve soliste në opera kam 22 vjet mësimdhënie në akademi”- tha këngëtarja.
Më tej shtoi se ka shumë raste kur studentët e tyre në Universitetin e Arteve, pasi punësohen që në ditën e parë të punës paguhen më shumë sesa vetë profesorët e tyre.
“Sa i përket pjesës financiare, do thoja që ne, breza të tërë që mbarojnë shkollën, studentët tanë, disa të shkëlqyer, disa modestë, disa edhe në nivel të ulët, kur fillojnë punën në institucion tjetër, që ditën e parë paguhen më shumë sesa ne. Është e verifikueshme. Fillojnë punë në kor të operës, në orkestra e institucione artistike dhe që ditën e parë paguhen shumë më tepër sesa ne pedagogët e tyre që u kemi dhënë profesionin”- shtoi Nallbani. Versus.al

