Në atmosferën madhështore të Pashkës në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, një moment i veçantë u regjistrua për shqiptarët. Fëmija i fundit që u përqafua nga Papa Françesku pas meshës së Pashkës ishte një vajzë shqiptare: Hera Çoba.
Hera është vajza e Nikoll Çobës dhe Franga Prengës, një familje me origjinë nga fshati Jubë i Durrësit, e cila prej vitesh jeton në Gjermani. Pamjet prekëse të takimit të saj me Atin e Shenjtë janë shpërndarë në rrjete sociale, duke sjellë emocione dhe krenari te mijëra shqiptarë kudo në botë.
Lajmin e ka ndarë edhe Dom Gjergj Meta, i cili njihet për kontributin e tij në Kishën Katolike Shqiptare dhe lidhjet e ngushta me komunitetin e Durrësit. Ai shkruan se e njeh personalisht familjen e Herës, duke theksuar se “vijnë nga një familje e nderuar, me të cilën njihemi me qindra vjet, duke qenë se na ndan vetëm lumi Erzenit nga fshati ku kam jetuar edhe unë.”
Statusi i Dom Gjergj Metës:
Fëmija i fundit që ka takuar Papa Françesku në sheshin e shën Pjetrit ditën e Pashkës quhet Hera Çoba, vajza e Nikoll Çobës dhe Franga Prengës me origjinë nga fshati Jubë i Durrësit e që jetojnë në Gjermani. Vijnë nga një familje e nderuar me të cilën njihemi me qindra vjet, duke qenë se na ndan vetëm lumi Erzenit nga fshati ku kam jetuar edhe unë.
Ma dërgoi sot vetë babai i Herës, Niku, dhe më lejuan ta publikoj. I falenderoj e i urojmë jetë të gjatë Herës së vogël e pastë bekimet e Zotit.... /Versus.al/








