
Një dosje voluminoze hetimore, e siguruar nga Versus.al, zbardh detaje nga një rrjet trafiku droge me bazë në Portin e Durrësit, i cili shpërndante heroinë drejt Italisë. Hetimi, i zhvilluar në bashkëpunim mes antimafies italiane dhe Prokurorisë së Posaçme SPAK, ka identifikuar rolet kyçe në organizatë dhe mënyrën sesi droga fshihej dhe transportohej në mënyrë të përsëritur përmes trageteve.
Në krye të strukturës lokale qëndronte Adi Çoba, i cili menaxhonte operacionet nga Durrësi, i mbështetur nga bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Gertian (Gerti) Aliu. Ky i fundit kishte vendosur kontaktet me furnitorët dhe koordinonte logjistikën e shpërndarjes së heroinës, shpesh edhe gjatë orëve të natës, duke shmangur kontrollet në port me ndihmën e operatorëve portualë të infiltruar.
Ngarkesa e zbuluar – 2 kg heroinë, janar 2021
Më 21 janar 2021, autoritetet shqiptare zbuluan përmes përgjimeve një ngarkesë prej 2 kilogramësh heroinë, e porositur nga Gerti Aliu dhe e siguruar nga furnitorët Erigels Presi dhe Genci Telollari. Sipas dosjes, droga, me një vlerë tregu prej 34 mijë euro, u dorëzua brenda një parkingu të qendrës tregtare “Confarma”, në Tiranë, nga Presi.
Për transportin u angazhua shoferi Arsen Leskaj, i cili figuron të ketë kryer një tjetër dërgesë më 22 dhjetor 2021. Ky model operacional përsëritej: droga dorëzohej nga Presi, ngarkohej në mjete lundruese në portin e Durrësit dhe dërgohej drejt Italisë me traget, shpesh në mënyrë të maskuar mes mallrash të ligjshme.
Përgjimet që zbërthejnë mekanizmin e trafikut
Përgjimet audio të përfshira në dosje japin një pamje të qartë të koordinimit mes palëve. Në një prej bisedave, Gerti Aliu shprehet:
“Po jo, nuk e marrin këta direkt, paratë ndahen me atë në traget... punohet në traget, e vënë pas një mbi një dhe dy me dy, dhe pastaj e ngarkojnë në traget.”
Deklarata përforcohet nga një tjetër bisedë me Erigels Presin, i cili tregon:
“Unë e pyeta Adin dhe i thashë: ‘Po si?’. Ai më përgjigj: ‘Ej, bishë, në traget... punohet në traget, e vënë mbi një mbi një, me dy me dy dhe pastaj e ngarkojnë në traget!’” Versus.al







