
Dhëndri i kreut të PD, Sali Berisha, konfirmoi për mediat se kryeministri Edi Rama do të thirret së shpejti në gjyq si dëshmitar i Mbrojtjes për dosjen “Partizani”.
Jamarbër Malltezi, pas përfundimit të seancës së sotme, tha se do të jetë ai që do ta pyesë Ramën në gjyq.
"Zoti Rama është dëshmitar që e kemi thirrur ne, jo Prokuroria, për fat të keq. Prokuroria ka aty ndërrime destinacioni nga Edi Rama.
Ka leje ndërtimi dhe gjyqe që Edi Rama i ka shkaktuar Bashkisë dëm ekonomik, pasi ka shkelur ligjin, dhe Prokuroria as nuk guxon ta pyesë.
Por ai do të jetë dëshmitari ynë dhe jo i Prokurorisë, dhe kur t'i vijë radha do ta pyes unë", tha Malltezi.
Më tej ai tha se për këtë dosje, do të dëshmojnë dhe ish-presidenti i Republikës Bamir Topi, ish-ministri Fatmir Mediu dhe ish-drejtori Urim Muja.
Malltezi tha se kalimi i pronës te familja e tij ka zgjatur katër vite, një procedurë që, sipas tij, ka qenë më e gjata krahasuar me rastet e tjera.
"Nga momenti i parë deri sa ka përfunduar procesi i privatizimit kanë kaluar katër vite. E pyeta ministrin Oketa nëse dinte ndonjë proces privatizimi që ka zgjatur katër vjet. Asnjë.
Dhe kjo rrëzon edhe pretendimet e tjera të Prokurorisë, kur tha se institucionet kanë vepruar me shpejtësi”, u shpreh Malltezi./Versus.al

