Kryedemokrati Sali Berisha gjatë deklaratës së tij para mediave i ka dalë në mbrojtje kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj pas pretendimeve të këtij të fundit se është keqtrajtuar në paraburgim dhe në sallën e operacionit në spitalin e Durrësit.
Sipas Berishës, shkrimet e publikuara në rrjetin social të Veliajt nuk kanë qenë të shkruara prej këtij të fundit, por nga zyra e shtypit të Ramës.
“Megjithatë çdo njeri i padënuar dhe dënuar, ka një paketë të drejtash të cilët duhet të respektohen. Me Erion Veliajn janë sjellë në mënyrën më të papranueshme. Dhe të jeni të sigurtë, që për Erion Veliajn kam konsideratën më të keqe. Ua them këtu. Mund të flas shumë, shumë kohë dhe ndonjë ligësi njerëzore si atë nuk njoh, përveç Edi Ramës.
Por tani është seç është, por të drejtat e tij nuk mund të përcaktohen nga vullneti im. Të drejtat e tij janë të drejtat e një qytetari të garantuar me ligj dhe kushtetutë.
Që të marrë Edi Rama, zyra e shtypit dhe të botojë statuse të pashkruara nga Erion Veliaj, kjo mund të ketë ndodhur në proceset më të zeza të kohës së sigurimit të shtetit. Çfarë nevoje kishte të shkruante statuse se Olsi Dado është i tillë dhe atillë, dhe Altin Dumani është heroi siç donte Edi Rama, në një kohë kur ai ishte i zhytur. Ju e patë vetë që paratë binin si nga qielli te Velica, me kompani me këto”- tha Berisha.
Ndërsa deklaroi më tej se Veliaj është keqtrajtuar, Berisha tha se gjatë vizitës së Ulsi Manjës, ministrin e shoqëronte një biznesmen si përfaqësues i klanit “Troplini” i cili ka kërcënuar kryebashkiakun. Ai i kërkoi Avokatit të Popullit të hetojë edhe raste të tjera nëpër burgje ku të burgosurit kërcënohen.
“Çfarë nevoje kishte ta bënte këtë? Ua them unë, kishte nevojë se Edi Rama donte me çdo kush të zemëronte gjykatësit dhe prokurorët me të dhe ta mbante aty ku është. Kjo për mua është shumë e dënueshme, sepse kjo përbën vepër penale në vetvete.
E dyta, thuhet që e kanë keqtrajtuar. Vizita e Ulsi Manjës. Në këtë vizitë Ulsi Manja është shoqëruar nga një biznesmen. Të gjitha të dhënat janë se, biznesmeni ka qenë përfaqësuesi kryesor i klanit ‘Troplini’ të cilët i çojnë, ua kanë dërguar dhe të tjerëve për ti dhënë ultimatum që, po fole këto pëson gruaja, këto pëson fëmija, këto pëson gjyshja, këto pëson gjyshi dhe me radhë. Edhe kjo është një akt absolutisht i papranueshëm dhe i dënueshëm. Këto qëndroj unë për këto dhe më vjen mirë që Avokati i Popullit është marrë dhe po merret. Por unë i kërkoj Avokatit të Popullit gjithashtu të shkojë nëpër burgje dhe të shohë një tmerr të pafund”- shtoi Berisha.
Pas pretendimeve të Veliajt për “ngacmim seksual” nga agjentët e BKH të cilët kishin ndenjur në sallën e operacionit, institucioni i Avokatit të Popullit njoftoi se kishte nisur hetimet për rastin. Versus.al







