Një ditë pas arrestimit të ish-deputetit të PS Jurgis Çyrbja i cili u prangos mbrëmjen e 20 tetorit, u zbuluan edhe detajet mbi akuzat që rëndonin ndaj tij. Ndër tre veprat penale që Çyrbja dyshohet se kishte kryer, binte në sy akuza e SPAK për përfshirjen dhe ndikimin e grupeve kriminale të Durrësit që emri i Jurgis Çyrbjas të futej në listën për deputet të PS.
Së fundmi, News 24 ka publikuar detaje nga dosja hetimore ku janë zbardhur përgjime të mesazheve që zbulojnë sesi njerëz të krimit të organizuar ndikuan që emri i Jurgis Çyrbjas të renditej në listën e sigurt për deputet të PS në qarkun e Durrësit sa i takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.
Në mesazhe rezulton se Edmond Koçi i njohur si “Mond Çekiçi”, i ekzekutuar në pranverën e 2021 dhe Altin Hajri, kreu i klanit “Hajri” në kërkim prej 4 vitesh, u kërkuan zytarëve të PS që Jurgis Çyrbja të ishte i treti në listën e kandidatëve për deputetë.
Mond Çekiç i njohur edhe si krahu i djathtë i një prej krerëve të bandës së Durrësit, Plaurent Dervishaj, ka shkëmbyer mesazhe me ish-deputetin e PS Jurgis Çyrbja në mars të vitit 2021.
Edmond Çekiçi: “Tashi sa e mbylla muhabetin tënd. Kam 3 orë me atë. Ia kërkova personalisht. E du unë ketë gjë i thashë. Përveç se e duan të gjithë. Do ja çoj ashtu, tha, ti i pesti, Liri i 7”.
Jurgis Çyrbja, gjithnjë sipas burimeve të News24, i kthen përgjigje: “Ma ngrite moralin. Se na kishte ik mendja”.
Të njëjtat burime konfirmojnë se një tjetër person, ende i paidentifikuar nga SPAK, komunikon me Çyrbjan e ndër të tjera i shkruan:
I paidentifikuar: “Mos humbim qetësinë, po të punojmë fort. Ishalla ndërrojnë mendje C me GJ. I thashë duam J. Po duhet qetësi, po të punojmë fort se u ngjan C dhe GJ sikur krijojmë përçarje”.
Gjatë kohës që negociohet për të zhvendosur emrin e Çyrbjas në listë, në telefonin e këtij të fundit nga i shumëkërkuari Altin Hajri mbërrin lista me emrat e kandidatëve ku emri i deputetit ishte i 7.
Hajri i shkruan Çyrbjas, dhe i thotë se Çekiçi duke nënkuptuar Edmond Koçin është dakord, ndërsa do të fliste me Lentin, që sipas SPAK është Plarent Dervishaj.
Në listën që më pas Partia Socialiste dërgoi në komisionin Qendror të Zgjedhjeve rezultoi se emri i Jurgis Çyrbjas ishte renditur i treti.
Ish-deputeti u arrestua në 20 tetor nga SPAK, tre ditë pasi kishte dorëzuar mandatin. Ai është nën hetim për korrupsion zgjedhor, përkrahje e autorëve të krimit pasi strehoi në shtëpi të shumëkërkuarin Altin Hajri dhe tregtim i sekretit hetimor. Versus.al








