
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Korçë ku një vajzë e mitur ka tentuar të hidhet nga kati i tretë i pallatit ku banon së bashku me nënën, dy motrat e saj dhe një vëlla më të vogël në moshë.
Fatmirësisht një banor i lagjes ndërhyri në momentin kur e mitura po tentonte të hidhej nga ballkoni.
Kjo është e disata herë që 14 vjeçarja tenton të kryejë aktin ekstrem. Në 4 tetor të vitit të kaluar ajo u hodh nga ballkoni i katit të tretë, por fatmirësisht nuk pësoi dëmtime për shkak se ra mbi taracën e një kasolleje poshtë pallatit. Dy ditë më parë tentoi të bënte të njëjtën gjë, por u shpëtua nga policia.
Shqetësues është fakti se 14 vjeçarja dhe dy motrat e saj shfaqin sjellje shumë agresive. Pavarësisht se janë dërguar disa herë në Tiranë për të marrë ndihmë të specializuar psikiatrike, ato nuk kanë pranuar të marrin mjekimet e rekomanduara.
Nga ana tjetër, institucionet vendore kanë lënë totalisht jashtë vëmendjes këtë familje duke mos marrë masat e duhura me sektorin e shërbimit social. E mitura nuk pranon të jetojë më në banesën ku rri bashkë me motrat dhe nënën e saj, ndaj të cilës ka shfaqur edhe shenja agresiviteti. Versus.al

