Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në Australi, pasi 28-vjeçari Mario Bacaj, me origjinë nga Shqipëria, i ka dhënë fund jetës në mënyrë dramatike në qytetin e Adelaide, kryeqyteti i Australisë Jugore.
Sipas mediave vendase, ngjarja ka ndodhur pasditen e së dielës, rreth orës 16:00, në zonën qendrore të qytetit, në rrugën King William, pranë kryqëzimit me North Terrace. Mario dyshohet se është hedhur nga kati i tetë i një ndërtese ku ndodhet 2KW Bar & Restaurant, një nga lokalet më të njohura të qytetit, i vendosur në një ndërtesë historike, dikur seli e Bankës së Uellsit Jugor.
Shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje me forca të shumta – përfshirë tre automjete policie, dy ambulanca dhe katër njësi të Zjarrfikësve Metropolitane – por fatkeqësisht, i riu ndërroi jetë në vend.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja po trajtohet si një incident i lidhur me shëndetin mendor, dhe autoritetet australiane nuk dyshojnë për ndonjë veprim kriminal.
Lajmi i hidhur ka prekur thellësisht edhe komunitetin sportiv lokal. Klubi i Futbollit West Adelaide Raptors, ku Mario kishte luajtur më parë, ka reaguar me një mesazh prekës në rrjetet sociale:
“Mario ishte më shumë sesa thjesht një lojtar i shkëlqyer, ai ishte një mik i dashur dhe i respektuar nga të gjithë në Klub. Dëshirojmë t’i shprehim ngushëllimet tona të sinqerta Kristjanit dhe pjesës tjetër të familjes gjatë kësaj kohe shumë të vështirë. Do të të kujtojmë gjithmonë, shoku. U prehtë në paqe.”/Versus.al







