AKTUALITET /

E sekuestruar si pasuri e grupit të drogës të Jetmir Pepës, pronarët e klinikës 'Maison Nuvé Aesthetics': Hiqni sekuestron

Shkruar nga Versus

  E sekuestruar si pasuri e grupit të drogës të Jetmir Pepës,   

Në mesin e pasurive të sekuestruara nga SPAK në operacionin e 15 prillit ndaj grupit të trafikut të drogës të Jetmir Pepës, dallohet një klinikë estetike luksoze në Tiranë, e quajtur “Maison Nuvé Aesthetics”.

Në ekstraktin e kompanisë në QKB rezulton se pronare 100% të aksioneve është Sara Pjetri, e cila është njëkohësisht edhe administratore. Më herët kompania ka qenë në zotërim 100% të Albert Pjetrit. Ata kanë depozituar dje një kërkesë në Gjykatën e Posaçme për heqjen e sekuestros. Kërkesa pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja që vendosi sekuestrot preventive, Alma Kondraliu.

Nga një kërkim në faqen online të klinikës, Maison Nuvé Aesthetics ofron një gamë të gjerë trajtimesh estetike mjekësore.

“Në klinikën tonë do të gjeni një gamë të gjerë shërbimesh estetike mjekësore, të ofruara sipas protokolleve të standardizuara dhe të bazuara në praktikat më të avancuara klinike. Çdo trajtim realizohet me precizion dhe kujdes maksimal, duke përdorur vetëm produkte të certifikuara dhe të aprovuara klinikisht. Misioni jonë është të theksojmë bukurinë natyrale, të rikthejmë vetëbesimin dhe t’u ofrojmë pacientëve standardin më të lartë të kujdesit estetik të personalizuar”, thuhet në faqen e klinikës.

“Maison Nuvé Aesthetics” është mes shumë pasurive që SPAK dyshon se është përdorur për pastrimin e parave të gjeneruara nga trafiku i drogës së grupit të Jetmir Pepës./Versus.al

Poll