
40-vjeçari Adrian Ogiçi është arrestuar në Spanjë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë “rrëmbimin e personit” dhe “trafikimin e lëndëve narkotike”.
Sipas hetimeve, ngjarja kryesore për të cilën ai është dënuar lidhet me zhdukjen e Ridvan Lamaj në qershor të vitit 2015 në Sarandë.
Lamaj, baba i dy fëmijëve, u pa për herë të fundit në shëtitoren e qytetit, ku pas një takimi me Ogiçin dhe bashkëpunëtorin e tij Vitor Islami, u fut në një automjet tip “BMW X5” dhe që nga ai moment nuk u pa më.
Hetimet zbuluan se Ogiçi dhe Islami dyshonin se Lamaj kishte organizuar grabitjen e një sasie droge në territorin grek, çka çoi në konflikt mes tyre. Si pasojë, ata planifikuan rrëmbimin e tij në shenjë hakmarrjeje.
Sipas dosjes, Lamaj u mor me forcë në makinë dhe u transportua drejt zonës së Xarres në Konispol, ku dyshohet se është vrarë dhe më pas trupi i tij është zhdukur. Edhe sot, pas më shumë se një dekade, ai rezulton i zhdukur.
Të tre personat kishin lidhje të mëparshme dhe ishin të përfshirë në trafikun e kanabisit drejt Greqi, ku Ogiçi kishte rolin e financuesit dhe organizatorit, ndërsa të tjerët merreshin me transportin e drogës përmes rrugëve ilegale kufitare.
Për këtë ngjarje, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka lënë në fuqi dënimin me 20 vite burg për Ogiçin dhe 19 vite për Islamin, të dhëna më herët nga Shkalla e Parë.
Arrestimi i Ogiçit në Spanjë u realizua falë bashkëpunimit ndërkombëtar të agjencive ligjzbatuese. Aktualisht, autoritetet shqiptare po ndjekin procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia./Versus.al


