
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme) ka ngritur alarmin për ekzistencën e një faqeje të rreme në internet që paraqitet si platformë zyrtare për aplikimin e vizave shqiptare.
Sipas njoftimit zyrtar, persona të paidentifikuar kanë krijuar një faqe që imiton strukturën dhe përmbajtjen e sistemit zyrtar të aplikimit për vizë elektronike, duke rrezikuar të mashtrojë qytetarët e huaj që synojnë të hyjnë në Shqipëri.
Autoritetet sqarojnë se faqja në fjalë nuk është e autorizuar dhe nuk ka asnjë lidhje me institucionet shtetërore shqiptare. Platforma zyrtare për aplikime për vizë, sipas ministrisë, është vetëm e-visa.al.
MEPJ u ka bërë thirrje qytetarëve dhe të interesuarve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të përdorin vetëm burime zyrtare, për të shmangur çdo formë mashtrimi apo abuzimi online.
Ndërkohë, organet e sigurisë kibernetike dhe institucionet ligjzbatuese kanë nisur verifikimet dhe po punojnë për bllokimin e aktivitetit të paligjshëm, si dhe identifikimin e përgjegjësve.
Njoftimi i plotë:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) njofton se, në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të burimeve të hapura në internet, është konstatuar ekzistenca e faqes:
https://evisia-al.com/albaniavisaenquirylive/ e cila përmban materiale dhe informacion të ngjashëm me ato të publikuara në faqen zyrtare të aplikimit për vizë hyrjeje të shtetasve të huaj në Republikën e Shqipërisë.
Në këtë kuadër, sqarojmë se faqja e sipërcituar nuk është faqe zyrtare dhe nuk është e autorizuar nga autoritetet shtetërore shqiptare për të ofruar informacion apo shërbime lidhur me procedurat e vizave.
Theksojmë se faqja e vetme zyrtare për aplikimet për vizë elektronike shqiptare, së cilës duhet t’i drejtoheni, është:
https://e-visa.al/
MEPJ u bën thirrje qytetarëve dhe të interesuarve të tregojnë kujdes maksimal dhe të përdorin vetëm burime zyrtare për aplikime dhe informacion, me qëllim shmangien e çdo abuzimi të mundshëm.
Organet e sigurisë kibernetike dhe autoritetet ligjzbatuese po marrin masa për të bllokuar çdo aktivitet të paligjshëm si dhe gjurmimin dhe ndjekjen e personave përgjegjës sipas legjislacionit në fuqi.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është duke e ndjekur këtë çështje me qëllim marrjen e masave të nevojshme./Versus.al

