
Tiranë- Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka marrë në dorë hetimet për zbardhjen e vrasjes së 27 vjeçarit Klaudio Prendi, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 19 nëntorit në zonën e Porcelanit.
Dyshohet se vrasja është realizuar nga një grup i strukturuar kriminal që kishte studiuar lëvizjet e djalit të ish-gjyqtarit Fran Prendi. Ky i fundit tha në polici se kishte dijeni për një konflikt fizik që djali i tij kishte pasur me disa persona, por nuk i shkonte në mendje se mund t’i bëhej atentat.
Hetimet janë përqendruar në pistën e një borxhi prej 10 mijë eurosh që viktima e kishte në fushën e basteve sportive, ndërsa është shpallur në kërkim personazhi i njohur si "Kleo i Freskut".
Atentati ku mbeti i vrarë i riu, ishte tipik mafioz. Autorët të cilët mendohet të kenë qenë 3 persona, e prisnin në një makinë tip “Audi A4”. Në momentin që Klaudio Prendi doli nga lokali ku po qëndronte me disa shokë të tij policë dhe hipi në automjetin “G Class”, autorët janë afruar me mjetin e tyre dhë njëri prej tyre e ka qëlluar me pistoletë me silenciator plot 6 herë.
Shokët e të riut, vrapuan për t’i dhënë ndihmën e shpejtë dhe për ta transportuar në spital, por fatkeqësisht 27 vjeçari nuk mundi të mbijetonte pasi kishte marrë edhe një plumb në kokë. Njëri prej shokëve të viktimës, i ndoqi autorët, por pa mundur që t’i arrinte.
Mjeti i përdorur për vrasjen u gjet më pas në zonën e Farkës i djegur plotësisht në mënyrë që të zhdukeshin provat, metodë shumë e përhapur në atentate kriminale. Versus.al







