
Pas denoncimit të dhunës ndaj çiftit Skënder e Bardhe Nika në Fushë Arrëz, policia ka ndaluar një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, si autorë të dyshuar të dhunës.
Policia ka njoftuar se ka ndaluar Petrit Balajn ndërsa ka shpallur në kërkim Kristjan Balajn.
“Më datë 17.06.2026, rreth orës 08:00, në fshatin Arst, në rrugë, dyshohet se 2 shtetas ende të paidentifikuar kanë goditur me sende të forta, shtetasit S. N., 55 vjeç dhe B. N., 51 vjeçe, të dy banues në fshatin Arst. Si pasojë, dy shtetasit kanë pësuar dëmtime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve“, njoftoi sot policia.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Arst të bashkisë Fushë Arrëz, ku disa persona të maskuar dhunuan fizikisht Skënder dhe Bardhe Nikën.
Skënder Nika është shprehur se ka qenë duke u kthyer nga puna në momentin kur, 5 persona të maskuar me rroba të ngjashme me ato të RENEA-s e kanë ndaluar dhe dhunuar fillimisht atë dhe më pas bashkëshorten e tij, pasi ajo doli nga shtëpia.
Skënderi ë tej ka shtuar se njëri prej tyre kishte automatik kurse të tjerët shkopinj gome. Ndërsa foli dhe për konfliktet që ai ka pasur me një familje të zonës, të cilët e akuzojnë dyshen për spiunim.
“Isha duke u kthyer nga puna nga HEC-i. Më kanë dalë pesë persona përpara dhe më thanë ndal Policia. Kam ndaluar ishin me maska dhe rroba të ngjashme me ato të RENEA-s. Njëri kishte automatik të tjerët shkopinj gome.
Nuk di çfarë ka ndodhur vetëm më kanë qëlluar. Dhe di që më kanë thënë një herë mos bërtit pastaj ka dalë gruaja dhe e kanë rrahur dhe atë.
Para katër ditësh kam pas një konflikt me një familje në fshat për dredhëza. Me të njëjtët kam pasur dhe 4 vite më parë, më kanë akuzuar se kam spiunuar.
Kam kërkuar t’i betohem e kam bërë çdo gjë që nuk kam paditur e spiunuar asnjë, por nuk kanë pranuar. I vetmi konflikt ky është”, është shprehur ai.Versus.al

