
Pas 48 orësh kërkime intensive, është gjetur trupi i pajetë i 37-vjeçarit Armando Zajsi, i cili humbi jetën në ujërat e Liqenit të Ulzës pasditen e së hënës.
Trupi i të riut u lokalizua këtë të mërkurë nga një dron nënujore i Forcave Detare, pajisje e specializuar që mbërriti në zonë për të ndihmuar operacionin e kërkim-shpëtimit. Në operacion u angazhuan palombarët e forcave RENEA, efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe shërbimet e Mbrojtjes Civile të Bashkisë Mat.
Sipas burimeve nga grupet e kërkimit, trupi i 37-vjeçarit u konstatua në një thellësi prej 37 metrash. Pas identifikimit të vendndodhjes me dronin nënujore, palombarët e RENEA-s u zhytën dhe bënë të mundur nxjerrjen e trupit në sipërfaqe.
Më pas, trupi i pajetë u transportua drejt morgut për ekspertizën mjeko-ligjore, ndërsa më pas do t’i dorëzohet familjarëve për ceremoninë mortore.
Armando Zajsi kishte mbërritur në Ulëz së bashku me kushërinj dhe miq për të kaluar mbrëmjen në një nga restorantet e zonës. Sipas të afërmve, ai jetonte dhe punonte prej shumë vitesh në Itali dhe të martën pritej të rikthehej sërish atje.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së hënës, kur 37-vjeçari mori një mjet lundrues tip “jetski” dhe hyri në ujërat e liqenit. Dëshmitarët tregojnë se ai bëri disa xhiro me mjetin, por në një moment humbi kontrollin dhe u rrëzua në ujë.
Pas rënies, Zajsi ka tentuar t’i afrohet me not mjetit lundrues, por dyshohet se gjatë kësaj përpjekjeje ka pësuar një problem shëndetësor ose ka humbur ndjenjat, duke u zhytur në thellësinë e liqenit. Pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme për ta gjetur, kërkimet rezultuan të vështira për shkak të thellësisë së madhe dhe kushteve nënujore.
Vetëm pas dy ditësh operacione intensive dhe me ndihmën e teknologjisë së specializuar u bë e mundur lokalizimi dhe nxjerrja e trupit të pajetë të 37-vjeçarit, duke i dhënë fund pritjes së dhimbshme të familjarëve dhe të afërmve të tij.Versus.al

