
Një protestues ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të përcjellë mesazhin e tij në ditën e 18-të të protestës qytetare para Kryeministrisë.
I shoqëruar nga disa dhi të vendosura brenda një gardhi të improvizuar, ai ka marshuar mes protestuesve në bulevard, duke tërhequr vëmendjen e qindra qytetarëve të pranishëm. Pamjet e pazakonta kanë ngjallur interes dhe reagime të shumta, ndërsa protestues të tjerë iu bashkuan nismës duke ndihmuar në mbajtjen e gardhit gjatë lëvizjes.
Mes batutave dhe komenteve, disa prej pjesëmarrësve dëgjoheshin të thoshin se “edhe delet janë me flamingot”, duke iu referuar flamingove rozë që janë kthyer në simbolin e protestës kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura të Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës.
Në gardhin që rrethonte kafshët ishin vendosur edhe pankarta me mesazhe sensibilizuese për mbrojtjen e mjedisit. Mes tyre binte në sy slogani: “Ndaloni ekocidin! Meeeheendoje dy herë”, një lojë fjalësh që shkaktoi buzëqeshje te protestuesit, por që përcillte njëkohësisht mesazhin kundër dëmtimit të natyrës dhe ekosistemeve të mbrojtura.Versus.al

