Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim dy shtetas, Xhejson Seferaj, 27 vjeç dhe Ilirjan Gjoka, 40 vjeç, pasi dyshohet se kanë kërcënuar me armë zjarri familjarët e kandidates së Partisë Socialiste për zonën e Dajçit, Klotilda Ndreca.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e datës 4 maj 2025, rreth orës 23:25, pranë një lokali në pronësi të babait të Klotilda Ndrecës. Familjarët e saj, konkretisht E.N. dhe D.N., kanë deklaruar në polici se janë ndjekur fillimisht me automjet nga dy persona dhe më pas janë kërcënuar me armë në fshatin Dajç, për motive që lidhen me fushatën elektorale të motrës së tyre.
Denoncimi u bë publik nga kryetari i PS-së në Lezhë, Ermal Pacaj, i cili deklaroi se kërcënimi është bërë me urdhër të kandidatit të Partisë Demokratike, Gjin Gjoni.
Policia ka referuar materialet në Prokurorinë e Lezhës dhe ka nisur hetimet për veprat penale: “Kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Hetimet po vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë, ndërkohë që shërbimet policore janë në kërkim të dy të dyshuarve për kapjen dhe arrestimin e tyre./Versus.al








