
Gjykata e shkallës së Parë në Vlorë caktoi masat e sigurisë për tre autorët e pengëmarrjes së Fisnik Xhakës, shqiptar nga Kosova. Gjykata vendosi masat e sigurisë arrest shtëpie për Vilson Agajn, dhe arrest me burg për shtetasit Orest Çorapaj dhe Julian Zogaj.
Të tre të dyshuarit mbajtën Fisnik Xhakën për rreth dy javë në një banesë pranë zonës së quajtur “Rruga e re” ne Vlorë duke i bërë presion të paguante 70 mije euro të dyshuara nga pazare droge.
Si ndodhi ngjarja?
Tre të dyshuarit nga zonat rurale të Vlorës (fshatrat e Lumit të Vlorës, Bashaj) rezulton se janë njohur me Xhakën në Suedi.
Gjatë kësaj njohjeje, dyshohet se ata kanë bërë marrëveshje të paligjshme për trafik droge. Kosovari i ka lidhur ata me një person tjetër jashtë vendit, dhe vlonjatët dërgonin drogën në një vend të BE-së (vend i pacaktuar, pasi të arrestuarit nuk kanë treguar, madje as telefonat e sekuestruar nuk u gjet ky informacion).
Pas kësaj, personi që mori drogën jashtë vendit nuk u ka kthyer paratë vlonjatëve. Për këtë arsye, këta të fundit kanë marrë peng Xhakën, duke e mbajtur për rreth dy javë, madje kanë ushtruar dhunë me shpresën për të marrë pagesën për lëndën narkotike.
Motra e shtetasit nga Kosova, që jeton në Suedi dhe kishte dijeni për ngjarjen, kontaktoi Interpolin. Interpoli njoftoi Policinë e Vlorës, e cila, duke përdorur lokacionin e dërguar nga motra, arriti të arrestojë tre personat brenda 15 minutash.
Xhakës, i cili kishte plagë të lehta, iu dha ndihma e parë dhe u lirua. Ndërkohë, autorët nuk kanë pranuar të zbulojnë vendin e saktë ku ishte dërguar droga, në çfarë vendi të BE-së./Versus.al

