Policia e Sarandës, në bashkëpunim me forcat e FNSH-së, është vënë në kërkim të dy vëllezërve të dyshuar për plagosjen e dy të rinjve gjatë ditës së sotme. Personat në kërkim janë Ramadan Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj, 43 vjeç, dhe vëllai i tij, Erjon Canaj, 35 vjeç.
Ramadan Zoto është një emër i njohur për autoritetet, i dënuar më parë në Greqi për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Ai ka qenë i përfshirë në shkëmbime zjarri me policinë greke dhe aktualisht ndodhet në proces gjyqësor në Sarandë për “goditje për shkak të detyrës”. Ai konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë.
Ndërsa vëllai i tij, Erjon Canaj, është përfshirë më herët në ngjarje të dhunshme në Sarandë. Në dhjetor 2022 ka dhunuar rojen e spitalit lokal, ndërsa në shkurt 2024 u arrestua në banesë me dy pistoleta, por u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës disa muaj më parë.
Policia vijon kontrollet intensive për kapjen e tyre, ndërsa rrethanat e plagosjes dhe motivi mbeten ende në hetim. /versus.al







