Arjan Telhallari dhe i biri mësohet se janë dy personat që po kërkohen për konfliktin e dhunshëm në zyrën elektorale të Partisë Social-Demokrate në zonën e Ali Demit.
Një përplasje fizike ka ndodhur mesditën e sotme në zonën e “Ali Demit” në Tiranë, brenda ambienteve të një zyre elektorale. Sipas deklaratës zyrtare të Policisë së Shtetit, rreth orës 14:00 në sallën operative është marrë një telefonatë që sinjalizonte një konflikt mes disa shtetasve në këtë zonë.
Forcat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe gjatë këqyrjes së vendngjarjes është konstatuar se ishte dëmtuar xhami i zyrës elektorale, dyshohet si pasojë e përdorimit të sendeve të forta. Po ashtu, në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe dy fishekë të pa shpërthyer, duke ngritur nivelin e alarmit për rrezik të mundshëm.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti ka nisur kur një i ri është përfshirë në një debat me një tjetër bashkëmoshatar në zonë. Pas incidentit fillestar, ai është larguar dhe ka njoftuar të atin, shtetasin Arjan Telhallari, i cili dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur.
Telhallari është rikthyer më pas në vendngjarje së bashku me të birin për të kërkuar djalin tjetër, të cilin, sipas të dhënave policore, e kishin lokalizuar në ambientet e zyrës elektorale. Të dy janë futur brenda, duke shkaktuar përplasje fizike me persona të tjerë të pranishëm në zyrë. Gjatë incidentit, Telhallarit i kanë rënë në tokë disa fishekë të pa përdorur, duke shtuar dyshimet për mbajtje të armës.
Policia është vënë në ndjekje të personave të përfshirë në ngjarje, të cilët janë larguar nga vendi me një automjet. Hetimet po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.
Këto informacione mbetet paraprake dhe pas shoqërimit të personave e palëve të përfshira në konflikt pritet që të ketë një tabllo më të qartë të ngjarjes së dhunshme të ndodhur sot në orën 14.00 në kryeqytet.








