
Një 32-vjeçar është vrarë me thikë mbrëmjen e së martës, 19 gusht në fshatin Kryekuq të Divjakës.
Viktima është identifikuar si Besmir Kumria ndërkohë që policia ka arrestuar pas disa orësh autorin e dyshuar Xhesion Toromenin, 25 vjeç.
Dyshohet se familjet kanë pasur konflikte të vazhdueshme për një kanal vaditës.
Ngjarja ndodhi në një lokal të fshatit, ku autori pasi parkoi makinën u drejtua me thikë në dorë drejt tavolinës ku ndodhej Kumria me disa persona të tjerë, dhe e goditi për vdekje në vend.
Mësohet se Kumria punonte në Himarë dhe kishte ardhur në vendlindje për të përcjellë bashkëshorten, e cila ishte nisur për në Gjermani për të punuar si infermiere.
Trupi i viktimës ndodhet në morgun e Lushnjës.
Njoftimi i policisë:
Goditi me thikë një shtetas, i cili për pasojë humbi jetën; pas veprimeve të shpejta dhe profesionale të Policisë u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar.
Pas vrasjes, autori u largua, por u kap pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet operacionale të DVP Fier.
Gjatë mesnatës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Kryekuq një shtetas i paidentifikuar kishte hyrë në një lokal dhe kishte goditur me mjet prerës shtetasin B. K., 32 vjeç (i cili ishte në shoqërinë e miqve të tij), shkuan menjëherë në adresën e dhënë.
U ngrit grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i ndjekjes së pandërprerë nga forcat operacionale të DVP Fier, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në Polici i autorit të dyshuar, shtetasit Xh. T., 25 vjeç, banues në Kryekuq, i cili do të arrestohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi Xh. T. e ka vrarë shtetasin B. K., pasi familjet e tyre kanë pasur konflikte të vazhdueshme për një kanal vaditës në fshat.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.Versus.al







