Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar lirimin e Idriz Manej, i njohur ndryshe si “Gjyshka”, i cili ishte përmendur nga i penduari i drejtësisë Artan Tafani si pjesë e grupit kriminal të Laert Haxhiut, të dyshuar për përfshirje në vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Fridman Xhaferrit në vitin 2021.
Manej iu drejtua Gjykatës së Posaçme me një kërkesë për shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg”, të caktuar më 1 tetor 2023 nga Gjykata e Elbasanit, përpara se çështja t’i kalonte për kompetencë Prokurorisë së Posaçme.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Etleva Deda dhe Elsa Ulliri, vendosi pranimin e kërkesës së Manej dhe shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg”, duke argumentuar se periudha e paraburgimit të vuajtur nga i pandehuri ka kaluar gjysmën e dënimit maksimal të parashikuar për veprën penale që i atribuohet.
Në vendimin Nr. 214, datë 09.04.2025, Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Idriz Manej, duke saktësuar se ky urdhër zbatohet vetëm nëse ai nuk është i ndaluar për ndonjë masë tjetër sigurie ose dënim të formës së prerë.
Megjithatë, Idriz Manej rezulton i dënuar edhe për një tjetër çështje që lidhet me trafik droge dhe, në momentin kur dolën deklaratat e të penduarit Tafani, ai ndodhej në vuajtje dënimi në burgun e Drenovës. Autoriteteve të burgjeve u takon të verifikojnë nëse ai e ka përfunduar dënimin e mëparshëm, për të përcaktuar nëse lirimi do të jetë i menjëhershëm apo i pezulluar për shkak të këtij vendimi tjetër penal./Versus.al/








