AKTUALITET /

Erion Veliaj nuk i ndahet Gjykatës Kushtetuese, ngre një tjetër padi

Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për përshpejtimin e shqyrtimit të padisë, duke këmbëngulur se masa e arrestit në burg ndaj tij është në kundërshtim me Kushtetutën.

Shkruar nga Versus
Erion Veliaj nuk i ndahet Gjykatës Kushtetuese, ngre një tjetër
Erion Veliaj në Kushtetuese

Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për përshpejtimin e shqyrtimit të padisë, duke këmbëngulur se masa e arrestit në burg ndaj tij është në kundërshtim me Kushtetutën.

Në kërkesën e tyre, mbrojtja i propozon Kushtetueses caktimin e një date sa më të afërt për shqyrtimin e çështjes, duke argumentuar se mungesa e kryebashkiakut në detyrë po sjell pasoja dhe dëme konkrete në funksionimin e institucionit.

Kërkesa për përshpejtim vjen dy javë pasi Veliaj, i arrestuar që prej muajit shkurt, depozitoi padinë për shfuqizimin e vendimeve të gjykatave më të ulëta që kanë miratuar vazhdimin e paraburgimit të tij. Deri tani, Gjykata Kushtetuese nuk ka caktuar një datë për shqyrtimin e çështjes, ndonëse më herët ajo i kishte dhënë të drejtë Veliajt duke e rikthyer në detyrë dhe duke rrëzuar vendimin e Këshillit të Ministrave.

Ndërkohë, dosja penale që përfshin 30 të pandehur, mes tyre edhe organizata jofitimprurëse, ka mbetur në fazën e seancës paraprake. SPAK ka ngritur akuza për korrupsion dhe pastrim parash, të cilat sipas Prokurorisë së Posaçme lidhen me abuzime me fonde publike dhe procedura tenderimi.

Në seancën e fundit, kryebashkiaku kërkoi sërish akses në fashikujt e hetimit, duke akuzuar sistemin e drejtësisë për standarde të dyfishta, pasi sipas tij ish-presidenti Ilir Meta dhe të pandehur të tjerë kanë pasur në dispozicion materialet hetimore./Versus.al

Poll