
Gjykata Kushtetuese zhvilloi paraditen e sotme seancën për kërkesën e kryeministrit Edi Rama dhe Këshillit të Ministrave lidhur me pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Seanca, e udhëhequr nga relatori Sandër Beci, nisi në orën 10:00 dhe zgjati disa orë, por vendimi do të shpallet në një datë tjetër që do të njoftohet më herët.
Këshilli i Ministrave argumentoi se pezullimi ka penguar funksionimin e qeverisë dhe vendimmarrjen në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë, duke theksuar se ligji nuk lejon delegimin e përkohshëm të kompetencave.
Drejtori juridik i Kryeministrisë, Erald Jonuzaj, nënvizoi se kjo situatë ka bllokuar punën e Këshillit të Ministrave.
Nga ana tjetër, prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi, kundërshtoi kërkesën duke thënë se ajo nuk ka legjitimitet procedural dhe nuk plotëson kriteret kushtetuese, pasi nuk ekziston konflikt konkret midis pushteteve.
Seanca u mbajt pa praninë e Ballukut, që nuk është palë në proces, dhe pa përfaqësues nga GJKKO-ja. Morën pjesë përfaqësues nga Presidenca dhe Kuvendi si palë të interesuara.
Si numri dy i qeverisë, Balluku ushtron atributet kryesore të drejtimit në mungesë të kryeministrit, përveç propozimeve për ndryshime në kabinet. Kjo çështje prek drejtpërdrejt ekuilibrin e pushteteve dhe funksionimin e qeverisë./Versus.al

