
Mbrëmjen e djeshme, ish-drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj foli në ‘’Top Story’’ lidhur me të gjithë dosjen dhe akuzat që rëndojnë kundrejt saj si pjesë e grupit kriminal të Ergys Agasit që dyshohet se kishte kapur çdo mekanizëm të lidhur me tenderat e institucionit që ajo drejtonte.
Përgjatë gjithë rrëfimit të saj, Karçanaj u kujdes që të sulmonte edhe median që ka publikuar pjesë nga dosja dhe gjetjet e SPAK lidhur me hetimet ndaj saj dhe grupit kriminal të Ergys Agasit e Ermal Beqirajt.
Me etiketime si ‘’fabrikuesit e lajmeve’’, ‘’kriminalizimi mediatik’’ apo ‘’thertorja e gjësë se gjallë’’ dhe ‘’pseudogazetar’’, Karçanaj u përpoq ta vinte theksin tek ajo që e konsideronte si padrejtësi të bërë nga media, pavarësisht se ndaj saj dhe të tjerëve po zhvillohet një proces zyrtar penal për ‘’avullimin’’ e miliona eurove të taksapaguesve shqiptarë. Përsa i takon pjesës së dosjes ku ajo shfaqet në zyrën e Ergys Agasit, Karçanaj thotë se kishte dhënë deklarime që herën e parë që ishte pyetur në SPAK.
‘’Një nga momentet më të rënda të kësaj historie horror është mënyra sesi një fragment i shkurtër, i shkëputur pa kontekst të plotë, u mor dhe u kthye në një nga ato krimet e supozuara të inkuizicionit ku njeriu bëhet objekt abuzimi dhe tërhiqet zvarrë nëpër rrugë.
Po flasim për një takim të cilin e kam deklaruar që herën e parë që u mora në pyetje nga prokuroria e posaçme, që në 3 dhjetor të 2025-ës. Megjithëse në atë copëz videoje nuk merret vesh asgjë, unë sqarova kontekstin. E vetëdeklarova pa e ditur fare që ajo copëz filmike do të kthehej në një material nga fabrikuesit e lajmeve dhe do shndërrohej në një kapje në flagrancë të një grupi kriminal. Kush përdor fragmente të tilla për të ndikuar opinionin, ka një përgjegjësi shumë të madhe sepse shkatërron familje e jetë njerëzish dhe krijon një damkë që mund të sjellë dhe pasoja fatale’’- deklaroi Karçanaj.
Përsa i takon vilës që thuhet se i është sekuestruar në Palasë, Karçanaj thotë se e ka marrë vetëm me qira për disa ditë pushimesh.
‘’Për vilën që thuhet që nuk është aspak vilë, kemi të bëjmë me një apartament i cili është marrë me qira gjatë periudhës së verës siç e merr me qira çdo familje shqiptare për të kaluar pushimet me fëmijët. Të thuash është një pronë e fshehur një pronë me të cilën nuk ke asnjë lidhje pronësie, është faj i madh’’- shtoi ish-zyrtarja e AKSHI-t. Versus.al

