
Gazetarja Klodiana Lala në emisionin “Të Paekspozuarit” ka zbuluar detaje të tjera lidhur me hetimin që SPAK po bën ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas Lalës, Prokuroria e Posaçme ka dyshime se nëpërmjet një skeme komplekse janë marrë përfitime të padrejta të cilat janë tentuar të qarkullohen në rrugë bankare.
"SPAK pretendon për ngritjen e një skeme komplekse, ku përmes kontratave të dyshimta, faturave fiktive dhe transaksioneve bankare, është arritur ose është tentuar fshehja e parave që sipas SPAK, rrjedhin nga aktiviteti kriminal i korrupsionit. Pastaj detaje të tjera, nga dokumenta të sekuestruar, ky është hetim që po vijon dhe duhet të presim ku do të shkojë. Janë dyshimet e para. Është hetim që ka filluar nga korrupsioni, por ka hyrë te pasuria e familjarëve të Erion Veliajt dhe vetë Erion Veliajt", tha Lala.
Mes personave të rrethit të ngushtë që po hetohen, gazetarja përmendi biznesmenin belg Elman Abule, një prej miqve të Veliajt. Lala tha se janë kryer kontrolle edhe ndaj kompanisë së Abules në Tiranë.
“Kam mësuar me burime të besueshme, se janë kontrolluar edhe disa ambiente apo kontrolle personale të personave të tjerë, bëhet fjalë për shtetasin Elman Abule, konsiderohet sipas SPAK, një person i besuar i Erion Veliajt. Elman Abule ka edhe një hetim nga Prokuroria e Tiranës. Është bërë kontroll personal i shtetases Marisa Nito, që është bashkëshortja e Elman Abules dhe ka lidhje shoqërore me zonjën Ajola Xoxe. Është kontrolluar kompania Rametal, që ka si administrator shtetasin Elman Abule. Ka kontroll personal për shtetasin Driand Zeneli dhe për shtetasen Adela Kondakçiu.
Këto janë të gjitha kontrollet personale apo të banesave dhe ambienteve që janë urdhëruar nga Gjykata e Posaçme në 5 dhjetor, mbi bazën e kërkesës së dy prokurorëve, Olsi Dado dhe Altin Dumani. Është firmosur vendimin nga Atalanta Zeqiraj që është gjyqtare e posaçme”- deklaroi gazetarja.
Sipas Lalës, personat ndaj të cilëve janë zhvilluar kontrolle kanë interesa të drejtëpërdrejta në bashkinë e Tiranës dhe kanë firmosur kontrata fiktive tenderimi.
“Ndërkohë, paralelisht prokuroria ka dyshime se për këto transaksione dhe për këtë aktivitet të dyshuar korruptiv, janë firmosur edhe kontrata fiktive, të cilat pretendohet se janë zbuluar gjatë kontrollove në kompanitë që përmenda. SPAK gjithashtu pretendon se të gjithë këto individë të lidhur me Erion Veliajn, kanë interesa të drejtpërdrejta me qeverisjen vendore dhe me Bashkinë e Tiranës.
Pra SPAK pretendon për ngritjen e një skeme komplekse, ku përmes kontratave të dyshimta, faturave fiktive dhe transaksioneve bankare, është arritur ose është tentuar fshehja e parave që sipas SPAK, rrjedhin nga aktiviteti kriminal i korrupsionit”- nënvizoi Lala.
Vetë kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar më herët duke bërë me dije zyrtarisht se ndaj tij është çelur një hetim pasuror, të cilin ai tha se e mirëpret. Versus.al








